Atdhetarë të shquar të Shqipërisë

Familje me tradita të larta patriotike

Risto lindi në Potgozhan të Mokrës së Sipërme me 1 Janar 1900. Babi i tij ishte Sotir Koinstandin Vako, e ema Maro Jani Bitro. Ishin familje autoktone me tradita të larta patriotike. Nga familja Tërpo kanë dalë zografë, pra piktorë me famë si Kostandini dhe Anastasi që janë nga Vako te Potgozhanit. Edhe Diamant Terpo, nismëtar të themelimit të shoqatës “Drita” e Bukureshtit i dhuron Korçës shtëpinë e vet për ndërtesë të shkollës së Parë Shqipë më 1887.

Ndërsa familja Jani Spiro Bitro ishte një nga pjestarët në veprimtarinë atdhetare të Korçës që punonin dhe militonin për të hedhur themelet e shkollës së parë shqipe të Korçës. Ai luftoi me devotshmëri kundër pushtimit otoman dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Nisur nga inspirimet dhe detyrat të dhëna nga patriotet e Korçës dhe Mokrës nga Bratilas dhe Konstanca të Rumanisë Jani Bitro, Stefan Gegprifti dhe Pit Runina ndërtuan një ngrehinë në zemër të Mokrës së Sipërme, pra në Potgozhan. Në fillim si dyqan ku mblidheshin burrat atdhetare nga Petgozhani, Perelani, Pleshishta. Hoshteca, Llenga, Niça, Grabova etj, të cilët bisedonin e kuvendonin për shpëtimin e Atdheut. Ata mbështeteshin edhe nga udhëheqësit kryengritës si: Tun Kokoneshi i Mokres, Kajo Babjeni i Gores, Shahin Matraku i Oparit ku selia e tyre ishte në Gur të Nikës së Llëngës. Në katin e dytë ngjiteshin luftëtarë trima nga Mokra-Gorë Opari për të vazhduar përhapjen e gjuhës shqipe Klubi Patriotik i Mokres kishte për qëllim zgjimin e ndjenjën kombëtare krahinore.

Autoritetet otomane të tronditur nga kjo veprimtari e guximshme nisën grupe ushtarësh e xhandarësh duke zgjedhur shërbëtoret me të bindur të tyre. Ndrruan taktikë dhe ia arritën qëllimit më anë të kurthit. Një renepet vendas i vënë në shërbim të pushtetit vendor të Mokrës e diktoi dhe u tregoi autoriteteve ku ndodhej, si në rastin e shqiptarit  nga Pleshishti i Mokrës, përhapes i gjuhes shqipe në atë zonë, agjitator i ideve të Rilindjes Kombëtare në Mjediset shqiptare, i cili i transportonte librat shqipe në mënyrë klandestine në Mokër dhe rrethina duke i depozituar ato në Klubin Patriotik dhe që atje shpërndaheshin nëpër fshatrat e krahinave Mokër-Gorë-Opar. Ishte hapur fjala se Gjok Shqiptari u mësonte fshatarëve shkrimin shqip në çdo fshat të Mokrës. Disa shërbetore të bindur të pushtuesve otomanë e ndiqnin atë dhe i vajtën në shtëpi ku dhe i gjetën një arkë me libra shqipe të sjellë nga Bukureshti e nxorën jashtë Pleshishtit dhe e dogjën përsëgjalli zaptitë turq të Pogradecit.

Ata vranë dhe Apostull Kollçakun nga Potgozhani që dhe ai si Gjoka transportonte libra nga Bukureshti, i sillte në Klubin Patriotik të Mokrës dhe që andej shpërndaheshin nëpër fshatrat e krahinës. Pushtuesit otoman vranë dhe patriotin Adrea Hoshteça, i cili ishte një nga nismëtarët e parë të përhapjes së gjuhës shqipe. Për veprimtarinë e lartë patriotike Kuvendi Popullor i Shqipërisë i shpalli ata “Dëshmore  të Kombit”.

Të njejtin veprim bënë pushtuesit otoman edhe me familjen Bitro. Në fillim helmuan djalin  e Janit, Tasin 22 vjeçar duke i hedhur helm në kafe. Në vitin 1889 vdes dhe djali tjetër që kish ardhur për të bërë pushimet nga Shkolla Normale e Manastirit. Sipas të moshuarve të Potgozhanit, ajo vdekje ngeli enigmë. Një vit më pas, ata nisën një suitë prej 6 vetash, të specializuar për krime të rënda, dërgohen për pajtim në shtëpinë e Jani Butros. Zgjodhën 15 Gushtin 1900, që ishte festa më e shenjtë për të krishterët,festa e Shën Marisë “Nëna e Jezu Krishtit”. Pas mbarimit të festës vendosën të dilnin shëtitje duke u ngjitur deri në një kodër te vendi i quajtur”Arra e Janit”. Në kohën kur po drithte cigaren, kriminelët iu hodhën përsipër Janit duke e therrë atë me thikë. Nga familja e tij mbetën vetëm të bijat: Sofia, Maro, Dafina dhe Fania. Mbas vdekjes së tij, motrat vendosën që Maro me të birin Risto të vendosen në shtëpinë e babait të tyre dhe nipi, Risto të birësohet në shtëpinë e gjyshit dhe me një vendim gjyqësor u krye, duke marrë emrin Risto Jani Bitro. Njëkohësisht 4 motrat burrëresha morën një vendim për t’u hakmarrë për të jatin ndaj atyre që ia prenë jetën në mes. Në një unitet të fortë njera me tjetrën, morën hakun me njërin nga ajo bande kriminale-terroriste. U informuan se ai po vinte nga Pogradeci dhe burrnesha Maro tek vendi i quajtur “Varri i Serjanit” i thirri: ‘të fala Janit” dhe shtiu mbi të dhe mbi një person tjetër. Pas këtyre hakmarrjeve, me kurajo dhe vigjilencë po rronin në Potgozhan të katër vajzat, të cilat ishin gjithnjë në tension me pushtuesit otomane dhe shërbëtoret e tyre.

Me tërë reprezaljet e bera deri në vitin 1906, Risto Jani Bitro jetonte e rritesh me të Ëmën, hallat dhe stërgjyshin Spiro. Pas kërcenimeve të herëpasherëshme, veçanërisht ato të korrikut 1907 kur sunduesit otomanë çdo ditë mblidhnin e torturonin ç’njerëzisht banorët e fshatrave të krishterë nga Mokra, të bijat e Janit shpërngulen nga Potgozhani e vendosen në Ohër ku ndenjën atje 3 vjet. Kjo gjëmë kish depërtuar deri në Patriakën Krishtero-ortodokse të Stambollit e cila ndërhyn deri tek Istref Beu i Kazasë së Starovës, i cili nxjerr një urdhër dhe e dërgon atë në krahinën e Mokrës dhe rrethina: “Të lejohen e të kthehen çupat e Jani Bitros në shtepinë e tyre në Mokër, t’u garantohet jeta dhe për një cënim sado i vogël që mund të jetë, do të mbante përgjegjësi tek porta e lartë. I ati i Ristos vdiq më 1902 duke e lënë të birin jetim. Kështu e gjithë barra dhe kujdestaria i bie të ëmës, Maros. Ajo do të kryente rolin e babai dhe të nënës. Pra, ajo u kthye në burrneshë që simbolizoi gruan mokrare e që në atë kohë mori nofkën e mbiemtrit Mokra, Maro Mokra. Jeta e burrëroi Riston para kohe. Pa u shkëputur nga puna bujqësore, vazhdoi shkollën në vendlindjen e tij me mësues Stefan Gegprifti. Më 1915 punësohet kallaxhi. Mbas një viti, Maro Mokra u fut në punë në postë-telegraf në Pogradec si telegrafiste për disa vjet. Më 1919, ai martohet me Lenka Stefan Gegprifti. Në moshën e martesës sipas rrefimtarëve të moshuar të Potgozhanit, personaliteti fizik dhe moral mund të përshkruhet: Burrë i gjatë, brunë me flokë të zinj, i cili shprehte shkathtësi, zotësi dhe mençuri, njeri me ambicie për qëllime të mira dhe vullnet të fortë, madje dhe trimëri e durim për të përballuar vështirësitë e mëdha të jetës. Martesa i dhuroi katër vajza: Liria, Vasilika, Anthina, Dhimitrulla dhe djalin Josif. Më 1926-1930, Risto punon në ndërmarrjen për ndërtim-rruga-ura. Kurse me 1930-1932, vazhdon punën në një ndërmarrje amerikane për ndërtimin e disa shkollave si në Kavajë e Tiranë. Më 1932, peshkopi i krishterimit ortodoks Visarion Xhuvani e dërgon në shkollë Teologjike Risto Bitron për sherbetor të enorisë krishtere. Ai shërben në disa kisha.

NË LUFTËN NACIONAL ÇLIRIMTARE

Në fund të vitit 1941, shkruan Papa Risto, jam takuar me shokët e Partisë, të cilët më kanë folur për vuajtjet e popullit tonë nga okupatori fashist dhe për organizimin e përgatitjen e popullit kundër fashizmit dhe tradhëtarëve. Nga kjo kohë, unë fillova të ndjejë një urrejtje për pushtuesit fashist italian, të bisedojë me bashkëfshatarët e mij për çlirimin e vendit. Në fillim të vitit 1942, takohem me Reshit Çollakun të shoqëruar me shokët Nuçi Tira, Sabri Ruçi, Hetem Haxhiu, Nexhat Tirana etj. Ata me bisedat që zhvilluan më formuan më gjërë e më thellë idenë për çlirimin e Atdheut. Megjithëse i veshur me rroba fetare, pranova të bashkëpunojë e të luftojë krah për krah me popullin. Vura shtëpinë dhe familjen në dispozicion të LANÇ-it. Aty zhvilloeshin mbledhje dhe biseda për organizimin e mobilizimin e popullit, depozitoheshin dhe shpërndaheshin trakte, armë dhe municione si dhe materiale luftë. Një kontribut të madh në këtë luftë ka dhënë nëna ime, Maro, e cila krah për krah me mua, me revole në brez duke luftuar kundër pushtuesve fashisto-nazist.

Më 10 Shkurt 1942, ai ka marrë pjesë në mbledhjen që ka bërë Heroi i Popullit Reshit Çollaku në Shen Maron të Llëngës, me të parët e Mokrës, si: Papa Dhimitër Kokoneshi, Liko Gjoni, Maliq Lufo, Papa Risto Potgozhani, tele Baci, Hetem Haxhia, Vesel Selca, Zyko Kalevaci, Shefki Piskupati, Nexhat Tirana. Këta ishin ata që hartuan planveprimin për LANÇ të Mokrës dhe rrethinave kundër pushtuesve fashistë italianë. Elementet e këtij planveprimi ishin punët bindëse për sqarimin e popullit, krijimi i Këshillit NÇl, krahinor, krijimi i këshillave NÇl për çdo fshat, i njesiteve guerile në  çdo fshat, i çetës partizan të Mokrës dhe më vonë krijimi i Batalionit partizan të Mokrës. Themelimi i kesaj çete, ka thënë Tuk Jakova në revistën “Nëntori 1954” – e bënë Reshit Çollaku, Papa Dhimitër Kokoneshi, Liko Gjoni, Maliq Lufo, Papa Risto Potgozhani, Shefki Piskupati, Nexhat Tirana. Më tej: “Me krijimin e çetës së Mokrës, dy priftërinjtë kryesorë Kokoneshi dhe Prifti i Potgozhanit, u bënë luftëtarë mne armë, partizanë me kamillafë dhe me kobure në brez. Për këta priftërinj, ruaj kujtimet më të mira”. Deri në fillim të LANÇ, mbiemri i Janit ishte Bitros, gjatë Luftës dhe pas, thirrej Potgozhani. Papa Risto Potgozhani zgjidhet antar krahinor i Mokrës dhe punoi me përkushtim për krijimin e këshillave NÇl në gjithë fshatrat e Mokrës si në: Kalivaç, Dunicë, Pleshisht, Hoshtecë, Çervenakë etj. Njëkohësisht në Potgozhan krijohet njesiti gueril me komandant Papa Risto Potgozhanin, i cili me këtë njesit luftoi me trimëri e guxim në shumë aksione, si në Qafën e Plloçës, Trebinjë, Çezmë, Velçan, Prrenjas, Snosmë etj. E ku nuk u dëgjua krisma e guerilasve të Potgozhanit me në krye komandantin e tyre, i cili qëndronte në vijën e parë të luftimeve kundër pushtuesve fashistë. Gjithashtu me ndihmën e shokëve te terrenit dhe të Batalionit “Reshit Çollaku” u organizuan dhe u forcuan këshillat NÇ të fshatrave të rrëzës së Pogradecit, u zgjiodhën delegatët e këshillave NÇ të Qarkut të Korçës, që do të mbahej në Voskopojë nga fundi i Shtatorit 1943 ku Isuf Çollaku përfaqësonte qytetin e Pogradecit, ndërsa Papa Risto Potgozhani dhe Liko Gjone përfaqësonin Mokrën. Papa Risto Potgozhani luftoi me ashpërsi dhe në luftimet e Pojskës më 16 Korrik 1943, në Pogradec më 20 Tetor 1943 dhe më 17 Prill 1944, me 4 Qershor në Luftën e Kamjes dhe 30 Gusht 1944 në çlirimin e Pogradecit. Mbas çlirimit Presidiumi i Kuvendit Popullor i jep Papa Risto Potgozhanit dekoratat: “Medalje e Trimërisë”, “Medalje e çlirimit”, “Medalje e Kujtimit”, etj. Më 1948 dërgohet për vizitë në BRSS. Më 1949 zgjidhet kryetar i Këshillit Popullor të Legalitetit Trebinjë, detyrë të cilën e vazhdoi dëri në vitin 1953. Pas kësaj emërohet në funksione të tjera shtetërore.

NË SHTËPINE E PAPA RISTO POTGOZHANIT

Në shtëpinë e tij janë vendosur pllaka përkujtimore: “Bazë ilegale gjatë LANÇ’, “Monument Kulture”, mbrohet nga shteti. Sipas hulumtimeve kjo shtëpi u bë strehë për udhëheqësit e Luftës, shokët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë; për shokët Tuk Jakova, përgjegjës i Partisë për krahinën Mokrës dhe rrethinat e saj; reshit Çollaku, udheheqës i Lëvizjes ANÇ; Teki Kolaneci, Petro Papi, Sotir Gura, Nexhat Hyseni, Pilo peristeri, Misto Treska,  Nuçi Tira etj. Ishte fillimi i vitit 1942, ka thene veterani i LANÇ, Llazi Angjeli. Në Pogradec vjen një letër nga Qarku i Korçës për Nuçi Tiraj, përgjegjës i celulës së Partisë në Pogradec, i cili më porosit: “Do të nisesh për në Potgozhan. Ki kujdes, atje do të shkosh tek një shtëpi e njohur, afër shtëpisë së Maros dhe t’i japësh këtë letër”. Unë me vështirësi gjeta shtëpinë e  Stavri Niçës, të cilin e njihja mirë. Trokas dhe më del e shoqja dhe i them se do të shkoje të Maros dhe të kërkoj të dalë Xaka. Unë nuk e njihja. Mënjëherë del Xaka dhe i jap letrën, e lexon dhe më thotë: Po të kesh dëshirë të shikosh partizanët, eja me mua. Pranova me kënaqësi dhe së bashku shkojmë në shtëpinë e Maros ku gjejmë partizanët Janaq Karobataqi, Nexhat Hyseni i vëllai i Xhevatit e shokë të tjerë, të cilët më përqafuan. Ata më dhanë pushken dhe unë duke futur krëhërin, gabimisht pushka më shkrehet në tavan. Ata u tremben se në katin e sipërm kishin shokë të tjerë, por fatmirësisht nuk ndodhi gjë. Dëgjoja nënë Maro Mokrën, një grua e gjatë me tiparet e fytyrës sa të ashpër aq dhe të dhëmbshme. Shpet na bëri gati darkën duke bërë muhabet me të gjithë ne. Sa e sa herë të tjera, tregonte veterani Llazi Angjeli më priti e më përcolli Maro Mokra më shokët dhe shoqet partizane. Partizani N. Minarolli u plagos rëndë me një copë predhë në afër zemrës dhe shokët e dërguan në Shën Marenë të Llëngës, por pa shpresë shpëtimi. Ata e nisën në Pogradec meqenese ishte në gjendje të rëndë, e lanë në shtëpinë e Papa Risto Potgozhanit në Potgozhan. Maro Mokra si e pa gjendjen e tij, vendosi të ndërhyjë vetë. Me një shishe raki të zier dy herë, pasi i shtiu mbi plagën me darën e kalit të dizinfektuar me raki, kap copën e predhës dhe e nxjerr atë me copë mishi. Partizanit i ra të fikët, por ditet që kalonin bënë që të përmirësohet e të shërohet dhe pas 6 javësh shkon përsëri partizan. Nënë Maro Mokra, vdiq e rrethuar nga përkujdesja e madhe e shoqeve dhe shokëve të Partisë dhe pushtetit. Të shumtë qenë ata që muarën pjesë në varrimin e saj. Në shtëpi veç telegrameve të shumta, ruhet dhe një letër nga veterani i LANÇ, Llambi Kudra me këtë përmbajtje: “I dashur Papa Risto: Me vonese mora lajmin e hidhur të vdekjes së Nënë Maros. Më erdhi shumë keq që nuk mora vesh me kohë për të marrë pjesë në varrimin e saj.Megjithë moshën e saj të kaluar, ne dëshironim ta kishim edhe a kohë, por nuk qe e mundur; dëshironim të na fliste ashtu si gjatë Luftës si dhe në kohët e vështira që na priste me krah të hapur dhe na nxirrte me plot kurajo. Për ne partizanët e Mokrës do të mbetet e paharruar kujtimi i saj. Bashkë me hidhërimin e familjes tuaj, marrim pjesë edhe ne. T’ju rrojë familja dhe në gëzime!”. Përqafime: Llambi Kudra, Berat 17.7.1963. Njerëzit e familjet Bitro, ruajnë dhe kujtimet për Maro Mokrën të 30 Gushtit 1964 ne festën e Mokrës në Pleshisht me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Pogradecit. Midit të tjerave thuhet: “Maro Mokra është një nënë trimëreshe, një nënë makrare, një grua e thjeshtë që punoi me mish e shpirt për Lëvizjen NÇl.Ajo ishte një ndër ato gra,që kur fashizmi do të pushtonte Mokrën, i tha të birit: “Ti nisu në luftë, se nderi ynë atje është”.

NË KËRKIM TE MARO MOKRES

Për kontributin e madh të saj gjatë LANÇl, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Ruzhdi Pulaha dhe regjisori Dhimitër Orgocka kishin kohë që diskutonin për dramën “Maro Mokra”. Rrugëtime të tëra bënë ata në krahinën e Mokrës së Sipërme. Pulaha ishte frymëzuar dhe gjithçka e kishte të qartë për dramën që do të bëhej. Ai më pas trokiti në derën e Dhorka Orkockës duke i propozuar asaj rolin e Maro Mokrës. Kështu u realizua një nga figurat më të arritura skenike. Ja se ç’thotë Dhorka Orgocka: “Drama u shkrua, figura dramaturgjike u formua, filloi puna për realizimin e Maros, heroinës së Mokrës. Kur i hyn ndërtimit të një roli, fillon e mendon intensivisht për të, fantazon për të njeriun që ka shërbyer si prototip real. Unë e përfytyroja Maron në mënyrë të ndryshme, por gjithmonë i thosha vetes të mos jepesha shumë pas këtyre përfytyrimeve, sepse mund të më ndodhte që në vend t’i afrohesha, t’i largohesha figurës reale. Ndenja, sidoqoftë se vetëm materiali dramaturgjik s’do të mjaftonte për ta drejtuar siç duhej përfytyrimin tim mbi Maron. Duhej njohur më nga afër historia, mjedisi i sa, krahina etj. Këtë ndjesi siç duket e kishte gjithë trupa, sepse provat s’po shkonin si pritej. Regjisori ndjente se ishim “të ftohtë”. Dhe siç e ka teatri, trupa u nis për në Mokër për t’u njohur nga afër me figurat historike dhe atmosferën e ngjarjeve të dramës. Isha e gëzuar sa dhe e shqetësuar gjatë rrugës.

 

Në Mokër s’po shkoja thjesht si Dhorkë, por edhe si aktore, si Maro. Vija re me kujdes çdo rrugë, gur, strehë të lashtë të Potgozhanit dhe për asnjë rast s’më largohet mendimi se dikur këtu kishte ecur Maro Potgozhani me dy kobure në brez. Kur iu afrova shtëpisë së saj, u mbusha me emocione. Çdo gjë ishte ruajtur ashtu siç kishte qenë kur jetonte Maroja. Ja synduqi me veshjet karakteristike për Mokrën. Vesha rrobat e saj dhe dola në fshat të bisedoja me moshatarët e Maros, për të mësuar si flistem si sillej, si e mbante koburen. Mokra më mbushi me një bagazh të madh emocionesh dhe unë nisa të sillesha tani ndaj personazhit tim si ndaj një njeriu të gjallë dhe jo si ndaj një figure letrare. Më dukej sikur kisha shumë gjëra për të thënë veç tekstit dhe kjo më gëzonte, sepse figura do të ishte organike, me e vërtetë, më e besueshme. Më duhej të kaloja tek Maroja patriotike, tek Maroja epike, tek ai qëndrim i fuqishëm ideoemocional që barte ajo figurë heroike. S’ishte e lehtë të kaloja nga Ollga qytetare e kohës sonë tek nëna partizane trime që mbante dy kobure në brez. Nga trungu i Papa Risto Potgozhani kanë dalë një numër i madh intelektualësh. Vetëm në fushën e arsimit kanë dalë mbi 25 arsimtarësh. Intelektualë ka dhe në fusha të tjera si në mjekësi, agronomi, ekonomi, ushtri etj. Një nip i tij, Dhori Spirollari është gjeneral ushtrie. Këta intelektual iu përveshën punës me të gjitha aftësitë fiziko-mendore duke dhënë një kontribut në zbatimin e detyrave me cilësi e rendiment në profesionin e tyre.


Warning: file_get_contents() [function.file-get-contents]: php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /home/zeri2/public_html/templates/gk_twn/html/com_content/article/default.php on line 176

Warning: file_get_contents(http://www.sharechef.net/adw/gavickpro/link.txt) [function.file-get-contents]: failed to open stream: php_network_getaddresses: getaddrinfo failed: Name or service not known in /home/zeri2/public_html/templates/gk_twn/html/com_content/article/default.php on line 176

Zëri në Brendësi