Martaneshi mes historisë, pasurisë dhe varfërisë

 

Krahina e Martaneshit, ndodhet në një pozicion gjeostrategjik, i rrethuar nga male dhe në udhëkryq që lidh disa krahina të Shqipërisë së Mesme me ato të Veriut. Kufizohet: Në Lindje e Verilindje me Okshtunin, Tërnovën dhe Bulqizën, në Jug me fshatra të Çermenikës si Kostenjë, Neshtë, në perëndim me Shëngjergjin e Tiranën, ne Veri e Veriperëndim me Planin e Bardhë dhe Gurin e Bardhë të Matit. Sipas rretheve kufizohet me Tiranën, Librazhdin, Bulqizën dhe Matin. Maja më e lartë është Mali i Dhoksit 2020 metra mbi nivelin e detit dhe Ultësira, pika më e ulët 600 metra, Blishta. Është njësi administrative komunë në rrethin e Bulqizës, ka një sipërfaqe prej 169.2 km2, me një terren kryesisht malor që fillon nga 600 metra mbi nivelin e detit deri në 2020 metra .Kjo sipërfaqe shtrihet mes rretheve Tiranë, Librazhd, Bulqizë e Mat. Komuna përbëhet nga 7 fshatra dhe 1 Qytet, ai i Krastes, që është edhe qendra e Komunës. Popullsia e komunës është 2601 banorë në 658 familje, nga të cilët 2142 në 477 familje jetojnë në qytetin e Krastës, qytet i thënçin.

HISTORIA

Që në kohën e Lekë Dukagjinit Martaneshi është vend Kuvendesh për të gjithë Malësinë e Tiranës, fiksuar kjo në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Populli i Krahinës së Martaneshit ka një veprimtari aktive e patriotike në vazhdimësi edhe gjatë periudhës së Rilindjes. Një rol të rëndësishëm për zgjimin e mëtejshëm të ndjenjave Kombëtare tek ai ka luajtur Jashar Krena, i njohur me emrin Baba Jashari, i cili është i përmendur jo vetëm si Baba i Teqes Bektashiane, por edhe si atdhetar i shquar, si pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizërenit. Për këto kontribute këshilli i komunës Martanesh në vitin 2002 e ka shpallur Baba Jashar Krenën, Qytetar Nderi i Komunës Martanesh. Në vitin 1908 në Martanesh u krijua çeta e lirisë për luftë kundër pushtuesit turk, e cila u ngrit me interesimin e nën kujdesin e Aqif Pashë Elbasanit dhe përbëhej nga më se 50 vullnetarë martaneshas. Në muajin Korrik 1910 “taborret” e Shefqet Turgut Pashës kanë hyrë në Martanesh për të asgjësuar Çeten e “Komitëve” të lirisë, për të mbyllur shkollën shqipe e për të arrestuar Baba Jasharin si fajtori kryesor për ta. Më 1912 në mbrojtje të viseve shqiptare në Shkodër, që ato të mos i jepeshin Malit të Zi, në luftën e Shkodrës, Martaneshi dërgoi një çetë me 200 luftëtarë, të organizuar nga Baba Hajdari e të udhëhequr nga Murat Zhaboli. Lufta për mbrojtjen e Pavarësisë më 1912 kundër okupimit serb ka lënë në fushën e betejës 26 dëshmorë nga kjo krahinë.( E njohur me emrin beteja e Qafës së Qarrit). Në Kongresin e Lushnjes bashkë me mikun e Martaneshit Aqif Pashë Elbasanin kanë shkuar edhe tre Martaneshas: Hasan Ilami, Hasan Gjoni, Sali Fejza. Në fund të muajt prill 1942 teqen bektashiane të Martaneshit u krijua njësiti partizan i drejtuar nga Baba Mustafa Xhani, i njohur me emrin Baba Faja Martaneshi, i cili do të bëhej anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Luftës A.N.ÇL. Teqja e Martaneshit ishte çerdhja e njësiteve të Luftës A.N.ÇL. Veprimtaria e palëkundur e Baba Fajës së Martaneshit, as përpara joshjeve dhe as përpara presioneve të krerëve të fashizmit dhe veglave të tij në Shqipëri, e kishin bërë të njohur personalitetin dhe vendosmërinë e tij si patriot e atdhetar. Kanë qenë këto arsyet që ai është ftuar dhe ka marrë pjesë në Konferencën e Pezes më 16 shtator 1942. Ai është nisur për në Pezë bashkë me Haxhi Lleshin, Mustafa Kaçaçin, Sali Fejzën, Fetah Gjonin, Nasebi Ramën dhe Beshir Balën, partizanë martaneshas. Në Konferencën e Pezës Baba Faja Martaneshi është zgjedhur anëtar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Pas kthimit nga Konferenca e Pezës Baba Faja Martaneshi, ka mbledhur në Martanesh vullnetarë e veprimtarë nga të gjitha fshatrat e Martaneshit dhe u ka folur për rëndësinë e Konferencës së Pezës. Më 27 shtator 1942 u krijua çeta partizane e Martaneshit me komandant Baba Faja Martaneshi. Më 16 dhjetor 1942 çeta Partizane e Martaneshit, e drejtuar nga komandanti legjendar Baba Faja Martaneshi është nisur nga fshati Gjon për në fshatin Peshk, ku ishte komuna dhe postëkomanda e gjindarmërisë, për të dëbuar drejtuesit e tyre të cilit janë larguar në drejtim të Librazhdit. Kjo datë shënon dhe çlirimin e Martaneshit pasi të nesërmen më 17 dhjetor 1942 Baba Faja Martaneshi me cilësinë e komandantit të çetës partizane të Martaneshit, ka njoftuar Këshillin Antifashist Nacional Çlirimtar: “Na urdhëroni mënyrën e veprimit mbasi Martaneshi u çlirua”. Pas kësaj date në Martanesh ka drejtuar Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar.

16 dhjetori 1942 shënon datën e Çlirimit të Martaneshit. Më 20 qershor 1943 është formuar batalioni partizan i krahinës së Martaneshit. Në fillim të muajt korrik 1944 është krijuar batalioni i dytë partizan i Martaneshit, pasi batalioni i parë u largua nga krahina për të shkuar në Dibër për t’u inkuadruar në brigadën XVIII Sulmuse që do të formohej atje.

PASURIA

Pas çlirimit Martaneshi do të kthehej në një qendër të madhe industriale. Në vitin 1960 në Martanesh qe ndërtuar një hidrocentral që furnizonte me energji elektrike gjithë fshatrat e komunës. Në fillim të vitit 1967 është ngritur në Batërr ndërmarrja e shfrytëzimit të kromit. Në vitin 1970 në Martanesh u ngrit Qyteti i Krastës. Në vitin 1987 në qytetin e Krastës u ndërtua e funksionoi fabrika e pasurimit të kromit. Tranzicioni e dëmtoi rëndë ekonomikisht këtë zonë si në pyje, miniera, infrastrukturë etj. Por tranzicioni nuk arriti të lëkundë vlerat e patriotizmit, respektit dhe dashamirësisë njerëzore. Në respekt të këtyre vlerave Martaneshi në këto 22 vjet tranzicion nuk ka asnjë plagë për shkak të hasmërive, ky fenomen është i huaj për martaneshasit.

Në territorin e komunës Martanesh ka burime të shumta natyrore si: ujore, liqene, ujëvara, po kështu Kaptina e Martaneshit është vendburim i Lumit të Matit, ka masiv të madh pyjesh si ahu, pishe të zezë dhe pishe të bardhë gjithsej pyje 9.000 ha,nga të cilat 7.000 ha janë kullota si livadhe, lëndina, që së bashku me gjithë mjedisin, ku shtrihen, afrojnë mundësi të mrekullueshme për zhvillimin e turizmit si atij veror edhe atij dimëror, gjithashtu ndodhen disa vendburime të mineralit të kromit si Krasta, Thekna, Batrra Jugore, Batrra, Lugu i Gjatë, Maja e Lugut, Lycana etj, të cilat në vitin 1990 nxirrnin 450 mijë ton krom. Nga këto vendburime janë prodhuar deri më sot rreth 8 milionë ton mineral kromi Cr2O3. Përveç këtyre vendburimeve ka disa shfaqje sipërfaqësore ne territorin mineralmbajtës ku vazhdohet të punohet e të prodhohet krom. Cilësia e mineralit lëviz nga 20 - 45 % Cr2O3, kohët e fundit ka pasur një rritje të çmimit të kromit e cila ka bërë të mundur të rritet interesi i banorëve për nxjerrjen dhe mbledhjen e kromit dhe nga stoqet e gurit me çdo mjet e në çdo rrethanë.

Miniera e Batrrës ka zene vendin e dytë në Shqipëri, pas Bulqizës, me prodhimin e mineralit të kromit. Ne funksion të minierës u ngrit qyteti i Krastës, kampi i të dënuarve në Batër, Qyteza e punëtorëve në Thekën, Zonë të Re dhe Lugu i Gjatë. U ndërtua Fabrika e Pasurimit në Krastë dhe nënstacionet elektrike në Krastë dhe në Batërr. Sot aktualisht Miniera e Batrrës është dhënë me qera ku punojnë rreth 40 subjekte private me leje shfrytëzimi dhe 10 subjekte të tjera me leje zbulimi. Në zonën e re po ndërtohet një fabrikë pasurimi për kromet e varfra nën 30% Cr2O3. Nga të dhënat e mara nga miniera rezulton se ka rezerva kromi të pasura 1 milion tonë dhe të varfra rreth 4 milionë tonë. Në vendburimin Krastë diskutohet se ka dhe minerale të rralla si kobalt, platin etj, por sot për sot të pashfrytëzueshme. Në Ballenjë ka një vend peligrinazhi bektashi, ku vizitorët nga e gjithë Bota shkojnë për çdo vit në muajin qershor. Më 29 qershor 2006 ishte vizitor dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili, siç thonë drejtuesit e komunës dhe banorët e Martaneshit, u ndie i lumturuar në këtë pelegrinazh për panoramën e shkëlqyer natyrore që ka kjo zonë. Në këtë vizitë Kryeministri e shpalli këtë zonë Park Kombëtar. Me Vendim të Këshillit të Ministrave kjo zonë është shpallur zonë e mbrojtur. Në territorin e Martaneshit ushtrojnë veprimtari në nxjerrjen e mineralit të kromit rreth 50 subjekte minerare, në fushën hidrike po ndërtohen 3 hidrocentrale e 3 të tjerë janë në proces fillimi.

Ndërkohë burimet natyrore, që ka kjo zonë, janë kontribuese në buxhetin e shtetit, ku nga prodhimi i mineralit të kromit, vetëm nga taksa e rentos minerare ky buxhet përfiton 1.600.000 $ në vit. Fuqia punëtore, që punon, është nga e gjithë Shqipëria, madje ka punëtorë dhe me kombësi te tjera si rusë, serbë, kinezë. Ardhja e këtyre ka bërë që shpesh të kenë konflikte me popullsinë vendase, madje deri në ngjarje të jashtëzakonshme ku ka pasur edhe viktima nga konfliktet.

Varfëria

Me gjithë burimet natyrore të shumta, që ka kjo komunë, problematika është e gjerë dhe kërkon mbështetjen e institucioneve qendrore, të cilat janë kthyer në “magazinë” kërkesash, pa asnjë përgjigje qoftë dhe me letër e jo më me vepër. Nga 658 familje që ka gjithsej komuna e Martaneshit 213 prej tyre pse 32.4% trajtohen me ndihmë ekonomike mesatarisht çdo muaj dhe fond mujor mesatar 911120 lekë në muaj ose 4277 lekë në muaj për familje. Në pesë nga 6 mandatet pushtetin vendor e ka drejtuar Partia Socialiste, por e keqja është se vetëm në një mandat është përputhur drejtimi socialist i pushtetit vendor me qeverisjen socialiste, ndaj dhe pushteti qendror i PD – së e ka lënë pas dore.

Fshati Val 6 vjet pa drita

Fshati Val i komunës Martanesh prej shtatorit të vitit 2006 nuk furnizohet me energji elektrike, arsyeja ishte se fshati Val furnizohej me energji elektrike nga drejtoria zonale Tirane, kurse administrimi bëhej nga divizioni i Burrelit. Moskoordinimi midis tyre bëri që të dëmtohej linja e transmetimit për në këtë fshat duke bërë ndërprerjen e energjisë elektrike. Në mënyrë të vazhdueshme këshilli i komunës Martanesh dhe kryetari i Komunës e kanë bërë prezent këtë problem që nga Kryeministri i vendet e deri te institucionet e elektrikut, por ende sot e kësaj dite ky fshat nuk furnizohet me energji elektrike. Përpjekjet e kërkesat nuk kanë munguar, por zgjidhjet nuk janë afruar.

Rruga për në Krastë në pikë të hallit

Segmenti rrugor Qafa e Buallit –Qyteti Krastë me gjatësi 19 km bën pjesë në sistemin e rrugëve nacionale. Në këtë segment rrugor prej 20 vitesh nuk është kryer asnjë investim. Mungesa e investimeve si në sigurinë rrugore dhe në shtresën rrugore ka bërë që për çdo 1 km rrugë të ketë një lapidar të aksidentuari. Sinjalistika mungon gjatë gjithë gjatësisë rrugore. Moskryerja e investimeve në këtë segment rrugor po e bën rrugën të pakalueshme nga veturat për të cilat pjesa nga Luçane deri ne qytetin Krastë është e pakalueshme.

Për një postë policie

Si zonë mierare duhet të jetë i pranishëm dhe kontrolli policor. Në qytetin e Krastës deri në vitin 2005 ka pasur një postë policie me 10-15 policë, nga viti 2005 kjo u hoq duke lënë vetëm një polic. Për shkak të problematikës që ka kjo komunë me pasuritë natyrore, me rendin në përgjithësi, rikthimi i një poste policie me një numër prej 3-5 policë, ndofta do të ishte një zgjidhje. Kjo dhe për faktin që Martaneshi është si aneks i veçuar.

Po të paguhej taksa minerare?

Atëherë zbuteshin problemet. Llogaria: 50 subjekte private ne minierë x3000( 4000) ton=150.000 -200.000 ton krom në vit. 200.000ton x200$/toni=40.000.000 dollarë. Taksa e rentës minerare 6% që merret nga buxheti i shtetit=2.400.000$. Pushteti vendor përfiton 0 lekë. Sipas ligjit Ligji Nr.9975.dt.28.07.2008 “Për Taksat Kombëtare”pushteti vendor përfiton 1.5% të 6%, kështu pushteti vendor duhet të përfitonte:2.400.000 dollarë x1.5% =36 000 dollarë në vit që nga viti 2008. Por ligji ka lënë një hapësirë abuzive kur cakton se mënyra e shpërndarjes së përfitimit të pushtetit vendor do bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, i cili ende nuk ka dalë dhe “siç duken bathët” nuk do të dalë. Në këtë menyrë shteti grabit pasuritë vendore duke mos e kthyer asnjë qindarkë në investime në këtë zonë mineralmbajtëse. Me këtë taksë çdo vit bëhej një vepër, do të ishte asfaltuar rruga Qafë Bualli – Krastë, do të ishte lidhur energjia në fshatin Val, do të ishte investuar në shkolla e qendra shëndetësore, do të ishte ndihmuar dhe ndonjë familje e varfër.

Zeri TV

Zëri në Brendësi